“Drejtësia”, në zonën e “rreptësisë”. Diskutohen heshtjet që kërkojnë konsensus

16/05/2016 15:25

Mazhoranca dhe opozita nuk morën ndonjë vendim të rëndësishëm për kapitullin e gjykatave pas pesë orë diskutimesh. Nenet e këtij kapitulli kërkojnë vendimmarrje politike, sepse kanë të bëjnë me mënyrën sesi do të zgjidhen anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Por demokratët kanë rishfaqur kundërshtinë e tyre edhe për ekzistencën e Gjykatës së Lartë Administrative.

“Ekzistenca e kësaj gjykate sjell në vetvete mundësinë për subjektet të kenë paqartësi se kujt t’i drejtohen, cilës gjykatë, vendimmarrje të ndryshme për çështje të njëjta, e për rrjedhojë një konfuzion në mënyrën e dhënies drejtësi nga sistemi i drejtësisë. Unë besoj që do të gjendet një zgjidhje që çdo lloj forme të jetë Gjykatë e Lartë vetëm apo Gjykatë e Lartë Administrative dhe këto probleme të mos ekzistojnë”, u shpreh Oerd Bylykbashi.

Socialistët e lidhin kundërshtinë me ndërhyrje në arkitekturën e sistemit dhe përgjigjja e tyre është e qartë.

“Dua ta nënvizoj është fakti që infrastruktura e reformës është e pa negociueshme për ne. Ata ngritën problemin e ekzistencës ose jo të Gjykatës së Lartë Administrative, jua premë shkurt, jo”, deklaroi Pandeli Majko.

Kjo çështje, bashkë me shumicën e cilësuar për zgjedhjen e disa anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, apo roli i Këshillit të Emërimeve në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë janë tregues se konsensusi për Reformën në Drejtësi vazhdon të jetë shumë i vështirë.

Top Channel