Vrasja e komandantit të Hezbollah, lëvizja akuzon rebelët sirianë

14/05/2016 19:05

Komandanti numër 1 i lëvizjes Hezbollah në Siri, Mustafa Amine Badreddine, u vra nga një sulm me artiljeri të kryer nga xhihadistët. Kështu ka deklaruar grupi libanez.

Vdekja e Badreddine pranë aeroportit të Damaskut u njoftua ditën e premte dhe fillimisht për të u fajësua Izraeli, armiku numër një i Partisë së Zotit.

Badreddine mendohet se drejtonte operacionet ushtarake të Hezbollah në Siri që prej vitit 2011.

Mijëra trupa të kësaj lëvizjeje po mbështesin Bashar al Assad, veprim ky që e ka ekspozuar lëvizjen përballë grupeve të shumta kundër presidentit sirian, përfshirë këtu Shtetin Islamik dhe Frontin Al Nusra.

Pa përmendur asnjë nga grupet, në deklaratën e Hezbollah thuhet:

“Hetimet kanë treguar se shpërthimi, që vuri në shënjestër një nga bazat tona në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Damaskut dhe që çoi në martirizimin e komandant Mustafa Badreddine, ishte rezultat i një bombardimi të grupeve “takfiri” që veprojnë në zonë”.

Termi “takfiri” përdoret për të përshkruar militantët që besojnë se shoqëria myslimane ka kaluar në një stad ku ka humbur besimin.

Gjithësesi, redaktori i BBC për çështjet arabe, Sebastian usher deklaron se mbi vdekjen e Badreddine mbeten ende shumë gjëra të paqarta.

Top Channel