Apelohet siguria për gjyqtarin, gjykata caktoi arrest 30-ditor

14/05/2016 19:45

Prokuroria e Krimeve të Rënda apelon vendimin për masën e sigurisë me afat 30-ditor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha, i akuzuar për korrupsion pasiv, duke kërkuar që të vendoset masa e sigurisë “arrest me burg”.

Prokuroria ka apleuar masat e sigurisë me afat 30-ditor edhe për djalin e gjyqtarit, Ledjon Hoxha, biznesmenit Dritan Jazexhiu dhe sekserit Nevruz Gajde.

Sipas prokurorisë, pretendimi i Gjykatës së shkallës së parë se duhet të verifikonte kamerat e sigurisë për t’u bindur se të implikuarit në këtë çështje kanë shkëmbyer ose jo rreth 6 milionë lekë të vjetra nuk qëndron. Shuma në fjalë do t’i jepej gjyqtarit për të favorizuar biznesmenin në një padi civile.

Në dosje prokuroria ka pamje të kamerave të survejimit të përdorura nga oficerët e policisë gjyqësore që kanë ndjekur veprimet dhe lëvizjet e gjyqtarit Hoxha dhe ku duket qartë marrja e shumës së parave.

Top Channel