Shia Labeouf në rolin e tenistit John McEnroe

13/05/2016 00:00

Ka qenë një nga rivalitetet më të mëdha në historinë e sportit dhe betejat mes tenistëve John McEnroe dhe Bjorn Borg do të vijnë në ekranin e madh në një film të ri me protagonist Shia Labeouf, i cili do të interpretojë McEnroe.

Aktori i famshëm u fotografua ditën e mërkurë në sheshxhirimin e këtij filmi, në Suedi.

Filmi do të ketë regjinë Janus Metz Pederson.

Suedezi Bjorn Borg dhe amerikani John McEnroe kanë qenë rivalë të ashpër me njëri-tjetrin në periudhën 1978-1981, me finalen e Uimbëlldonit të vitit 1980 që konsiderohet si një nga ndeshjet më të mëdha në historinë e tenisit.

Këta lojtarë kishin stile të ndryshme loje dhe ishin tipa krejt të ndryshëm, me McEnroe që njihet për “shpërthimet” e tij në fushë, ndërsa Borg ishte i qetë dhe nuk shfaqte emocione. Ky rivalitet u quajt “Zjarri dhe Akulli”.

Suedezi dhe amerikani janë ndeshur 14 herë me njëri-tjetrin dhe bilanci është 7 fitore për secilin.

Top Channel