Prokuroria kërkon dosjen për Balilin

13/05/2016 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon autoriteteve greke t’i përcjellë materialet hetimore ndaj Klement Balilit, ish-drejtor i Transporteve për Sarandën, pasi nga përgjimet e kryera për llogari të Greqisë nuk del asnjë e dhënë kompromentuese kundër tij që do t’i hapte rrugë arrestimit të tij në Shqipëri.

Ky veprim i Prokurorisë është ndërmarrë pas njoftimeve përmes të cilave thuhet se drejtësia greke kërkon prangosjen  e 44-vjeçarit i kërkuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Por akuza shqiptare nuk mund të veprojë pa patur dosjen me të dhënat që shpjegojnë implikimin e Balilit në trafikun e drogës  për shkak se ai nuk mund të arrestohet pa patur prova me të cilat të kërkohej burgimi në gjykatë.

Më herët,  ky veprim procedurial i autoriteteve shqiptare  u konfirmua në emisionin Top Story edhe nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Por njëkohësisht edhe drejtësia greke deklaron se po përkthen dosjen për t’ja deleguar Shqipërisë, duke e lënë këtë çështje në pritje të provave, derisa së paku të ketë një vendim gjyqësor për arrestimin e tij, sipas të cilit do të nxirrej edhe një mandat arresti ndërkombëtar.

Balilaj u cilësua nga mediat greke si “baroni i drogës”, ndërkohë që shikohet si kreu i një organizate kriminale, që së bashku me anëtarët kanë trafikuar prej 2014 drejt vendeve të Bashkimit Europian tonelata kilogramë me hashash.

Top Channel