Kryeministri britanik: Korrupsioni shkakton ekstremizëm

13/05/2016 00:00

David Cameron deklaroi se ndalimi i korrupsionit është i nevojshëm për të luftuar ekstremizmin. Kryeministri i Britanisë së Madhe i bëri këto komente gjatë samitit antikorrupsion në Londër.

Kjo mbledhje është pjesë e përpjekjeve të Cameron për të krijuar një angazhim më të madh global për të luftuar korrupsionin. Më herët qeveria britanike bëri me dije se firmat e huaja që kanë prona në Mbretërinë e Bashkuar duhet të deklarojnë publikisht asetet e tyre për të shmangur pastrimin e parave.

“Çelësi kryesor është transparenca më e madhe. Shohim gjithnjë e më shumë vende që janë të gatshme të shkëmbejnë më shumë informacione për taksat apo pronat. Për herë të parë, Britania dhe disa vende të tjera do të bëjnë publik regjistrin e pronave, në mënyrë që të hetohet edhe nga të tjerët”, deklaroi Cameron.

Në të njëjtin kuadër me kryeministri britanik, sekretari amerikan i shtetit John Kerry tha se korrupsioni kërcënon vendet sepse ushqen krimin dhe terrorizmin.

Top Channel