Përse nuk arrestohet Balili? “Ping pong” polici-prokurori

12/05/2016 15:05

Autoritetet greke dërguan të enjten në Shqipëri urdhërarrestin për shtetasin Klement Balili, i akuzuar si drejtuesi i një rrjeti trafiku droge që vepron në gjithë Europën.

Kështu thuhet zyrtarisht nga ana e policisë greke, ndërsa më herët mediat e këtij vendit shkruanin për një urdhërarrest ndërkombëtar për personin në fjalë, të cilin e cilësojnë “baroni i drogës”, së bashku me një tjetër shtetas shqiptar me emrin Dhimitër P, me banim në Belgjikë.

Personi i shumëpërmendur nga policia, mediat greke por edhe opozita në Tiranë ka qenë deri paraditen e së premtes i emëruar drejtor i Transporteve në Sarandë.

Zyrtarisht, nga ana e Policisë së Shtetit thuhet se disa herë i është kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme autorizim për arrestimin e Balilit, por nuk ka ardhur asnjë përgjigjie. Drejtori Haki Çako konfirmoi ndërkohë hetimet.

“Jemi në proces hetimi, nuk jam i predispozuar të bëj një interpretim sepse nuk është në tagrin tim, por është një nga operacionet e përbashkëta më të suksesshme”, deklaroi Çako.

Mediat: A është ky person nën hetim?

Çako: “Nuk komentoj”.

Arrestimi është kërkuar nga policia edhe pse nuk kishte ende një urdhërarrest nga pala greke. Top Channel u interesua pranë Prokurorisë së Përgjithshme për këtë çështje dhe prej andej u deklarua se, nuk ka asnjë koment për këtë rast.

Një ditë më parë, me anë të një njoftimi policia konfirmoi se kishte djeni për çështjen, e cila kishte nisur të hetohej 2 vjet më parë në bashkëpunim me policinë greke dhe DEA-n, agjencia amerikane e luftës kundër drogës.

Policia greke në Athinë zyrtarisht i konfirmoi Top Channel se urdhëri është përkthyer në anglisht dhe është dërguar për në Shqipëri dhe ata presin nga ora në orë arrestimin e shtetasit Klement Balili.

Top Channel