OBSH ngre alarmin: Ndotja e ajrit, përgjegjëse për 7 mln vdekje të parakohshme

12/05/2016 00:00

Organizata Botërore e Shëndetësisë bën përgjegjëse ndotjen e ajrit për gati 7 milionë vdekje të parakohshme anembanë globit.

Në dy vitet e kaluara, që nga publikimi i studimit të fundit të saj, OBSH-ja vëren një shtim të ndotjes në qytete të ndryshme të botës, ndërsa sheh me pozitivitet rritjen e ndërgjegjësimit ndaj këtij problemi, ashtu si dhe raportimet e mbledhjen e të dhënave.

“Ky është një problem shumë, shumë i madh shëndetësor. Për këtë arsye edhe duhet të bëjmë çmos për rritjen e informimit, shtimin e masave që lipset të merren në këtë situatë dhe monitorimin e cilësisë së ajrit. Kjo e fundit sidomos është thelbësore sa i takon tkurrjes së ndikimit negativ mbi shëndetin e njerëzve”, tha Maria Neira, OBSH.

Në vitin 2014, kur OBSH-ja nxori studimin e fundit të këtij lloji, baza e saj e të dhënave përfshinte 1.600 qytete. Sot mbulon mbi 3.000 qytete në 103 vende të ndryshme. Qytetet më të ndotura janë përsëri në Kinë e në Indi, por me shumë gjasë, ka plot zona të tilla që mbeten jashtë raportit për shkak se nuk grumbullojnë informacione mbi ndotjen.

Top Channel