Fotografi të shkrepura ndër vite, në role ku aktori Aleksandër Moisiu spikati për interpretimin e tij, janë prezantuar për publikun në një ekspozitë të çelur nga Fondacioni “Moisiu” në qytetin e Kavajës.

Alfred Moisiu, pinjoll i familjes Moisiu, ngre zërin për një muze dedikuar kësaj figure skenike botërore, ndërsa shton se mungesa e tij është papërgjegjshmëri politike, por jo vetëm.

“Ka që nuk e dinë që Aleksandër Moisiu ka qenë shqiptar. Ne nuk kemi muze për njerëz të tillë që kanë vlera ndërkombëtare. Në Vjenë një rrugë mban emrin e Aleksandër Moisiut, pranuan që të vendosin edhe një bust atje, ndërsa këtu tek ne, për fat të keq, nuk bëjmë dot një muze”, u shpreh ish-Presidenti Moisiu.

Për mungesën e këtij muzeu, Moisiu heq vija paralele mes varfërisë dhe injorancës.

“Unë kam mendimin që ne si shqiptarë kemi dy sëmundje: varfërinë dhe injorancën. Mirëpo injoranca nuk luftohet thjesht me fjalë, por duhet të ngremë vlerat këtyre njerëzve që kanë kontribuar në kulturën botërore, jo vetëm në atë shqiptare”, vijoi Moisiu.

Aleksandër Moisiu u lind në Trieste në vitin 1879, ndërsa u bë i njohur për role si Hamleti, Figaro, e shumë role të tjera në teatër dhe kinematografi. Ai ndërroi jetë në Vjenë në vitin 1935.

Top Channel