Meksikë, eksplorohet brendësia e “Plaza de la Luna”

12/05/2016 00:00

Arkeologët meksikanë janë duke eksploruar pjesën e brendshme të “Plaza de la Luna”, apo sheshit të Hënës në Teotihuacan, me shpresën të zbulojnë sa më shumë të dhëna mbi qytetin antik, dikur njëri prej më të mëdhenjve në të dy Amerikat.

Në fillim të vitit, ekspertët e Institutit meksikan të Antropologjisë dhe Historisë vendosën t’i shtojnë kërkimet e tyre, pasi hulumtimet nga ajri treguan se zona mund të jetë e mbushur me hapësira të nëndheshme e kalime, të krijuara me qëllimin të paraqesin universin.

Gërmimet e para nxorën në dritë disa shtylla të rrafshëta, dikur të gjelbra guri, të përdorura nga banorët e Teotihuacanit.

“Gurët jeshilë lidhen me fertilitetin, bollëkun dhe ujërat e tokës, siç janë lumenjtë, liqenet e lagunat. Për këtë arsye ka shumë mundësi që sheshi i Hënës dhe kulti tepër i rëndësishëm i saj të jenë të lidhura me hyun e këtyre ujërave, Chanchiuhtlicue”, tha Veronica Ortega Cabrera, arkeologe.

Në nismën e tyre, arkeologët i shtyn kureshtja se çfarë ndodhet nën rrënoja. Ata kërkojnë të dhëna mbi origjinën e hapësirës së ritualeve në këtë shesh, që ndoshta mund të ketë qenë ndryshe nga sa iu paraqitet turistëve sot.

Top Channel