Gjermanët lodhen nga Merkel; sondazhi: Vetëm 36% mbështesin kancelaren

12/05/2016 12:30

Pas 11 viteve të saj në pushtet, gjermanët janë të lodhur nga Angela Merkel. Janë disa sondazhe që tregojnë rënie të mbështetjes për koalicionin qeverisës në Gjermani, por anketimi më i fundit, i realizuar përpara zgjedhjeve federale të 2017-s, tregon se plot dy të tretat e votuesve në këtë vend i kundërvihen një mandati të katërt për kancelaren.

Nga sondazhi, i kryer nga kompania “Insa” për revistën gjermane “Cicero”, rezulton se vetëm 36% e të intervistuarve e duan vazhdimësinë e qeverisjes së Merkelit dhe kristian-demokratëve të saj.

Partia simotër bavareze, CSU, është duke zhvilluar një fushatë gati të pavarur për zgjedhjet e vitit që vjen. Kriza e refugjatëve dhe ngritja e rrufeshme e AfD-së kanë sjellë një krisje të thellë mes dy partive, çka në momente të caktuara në të kaluarën është evidentuar dhe hapur.

Politika e dyerve të hapura për emigrantët ka peshën e vetë në të gjithë këtë histori. Lëvizja e Merkelit që solli për pasojë vërshimin e 1.1 milion emigrantëve në Gjermani vitin e kaluar, është kritikuar ashpër edhe nga vetë aleatët e saj.

Rënie të popullaritetit në vetëm 20% po përjetojnë së fundmi edhe partnerët social demokratë të konservatorëve në koalicionin qeverisës, ndërsa partia kundër emigrantëve Alternativa për Gjermaninë po shijon ngjitjen e ndjeshme nga një forcë politike margjinale, në një parti që ka arritur të sigurojë brenda pak kohëve mbështetjen e 15% të votuesve.

Top Channel