Digjet një banesë në Shkodër, në gjendje të rëndë kryefamiljari

12/05/2016 01:30

Një banesë është shkrumbuar nga flakët në orët e vona të së mërkurës  në lagjen “Guerrile” të qytetit të Shkodrës, ku për pasojë është plagosur rëndë nga flakët e zjarrit dhe kryefamiljari, shtetasi me inicialet I.N, 64 vjeç, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Gjithashtu, plagë të lehta kanë marrë dhe dy pjesëtarë të familjes, gruaja, shtetasja me iniciale E.N, 55 vjeçe dhe djali E.N, 25 vjeç. Shkak rënies së zjarri dyshohet se është bërë bombula e gazit.

Flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi në banesë  në kohën gjithë familjarët ndodheshin brenda .

Në përpjekje për të shuar flakët, i zoti i shtëpisë ka marrë plagë serioze dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës. Në pamundësi për të izoluar zjarrin, familjarët që banonin me qira në këtë shtëpi kanë dalë jashtë duke kërkuar ndihmë.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur zjarrfikëset dhe shërbimet e policisë që kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit që rrezikonte dhe banesa të tjera aty pranë.

Në lidhje me shkaqet e këtij zjarri, sipas policisë, nga hetimet e para dyshohet për një rrjedhje të bombulës së gazit.

Top Channel