S’ka mandat arresti për “baronin”, Tirana-Athinës: Çoni kërkesë

11/05/2016 22:50

Policia e Shtetit nuk ka asnjë mandat arresti ndërkombëtar për Klemend Balilin, drejtorin e Patentave të Sarandës, i akuzuar nga policia greke për trafik ndërkombëtar droge.

Burime të sigurta në Policinë e Shtetit bëjnë të ditur se, Balili konfirmohet të ketë kryer transport droge drejt Greqisë, Holandës dhe Belgjikës, por në asnjë rast nuk ka kryer vepër penale në Shqipëri.

Kjo e detyron policinë shqiptare që të kërkojë një urdhërarrest ndërkombëtar nga Greqia për të kryer arrestimin e tij.

Sipas të dhënave paraprake, hetimi mbi Balilin nuk e nxjerr atë të përfshirë në një trafik droge në Shqipëri,  pasi rezulton se vendi ynë ka shërbyer si korridor tranziti.

Për këtë arsye, deri në këtë moment, sipas policisë shqiptare, Balili nuk mund të arrestohet vetëm nga të dhënat paraprake që policia shqiptare ka.

Kjo, për të shmangur edhe problemet e mëvonshme juridike që mund të dalin në procesin gjyqësor nga avokatët e tij mbrojtës, argumenton policia.

Balili është nën vëzhgim policor dhe me të mbërritur kërkersa për arrestim do të veprohet menjëher, shtojnë më tej burimet.

Më herët, Policia e Shtetit pranoi se ka një operacion antidrogë i cili është duke u zhvilluar në bashkëpunim me policinë greke, DEA-n amerikane dhe forcat policore të disa vendeve europiane.

Operacioni konsiderohet si ndër më të mëdhenjtë kundër trafikimit të lëndëve narkotike në rajon dhe BE. Policia nuk bën të ditur shumë detaje të këtij operacioni për shkak se konsideron se do të cënoheshin hetimet, për të cilat saktëson se kanë nisur muaj më parë dhe përfshijnë një shkëmbim intensiv të dhënash, por edhe përgjimesh.

Pavarësisht se pranon pjesëmarrjen në këtë operacion të gjerë, policia shqiptare nuk jep asnjë të dhënë nëse emri më i përfolur në këtë organizatë, Klemend Balili, i denoncuar nga PD, që akuzoi direkt ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Top Channel