Skandali i Panamasë, ekonomistët propozojnë rregulla të reja globale

09/05/2016 00:00

Plot 300 ekonomistë në zë kërkojnë rregulla të reja globale, të cilat do t’i detyrojnë kompanitë të raportojnë publikisht, shtet më shtet, aktivitetet e tyre të tatueshme.

Në një letër drejtuar udhëheqësve botërore, grupi nxit Mbretërinë e Bashkuar të kthehet në udhëheqësen e përpjekjeve për transparencë më të lartë tatimore.

Vendet e varfra, sipas tyre janë humbësit më të mëdhenj, e ata që paguajnë koston e vërtetë të “parajsave fiskale”.

Në mesin e firmëtarëve të letrës së realizuar në bashkëpunim me organizatën e bamirësisë “Oxfam”, janë edhe autori “best-selling” Thomas Piketty dhe fituesi i Nobelit të Ekonomisë në 2015-n, Angus Deaton.

Nisma e grupit të ekspertëve paraprin samitin antikorrupsion të qeverisë britanike të enjten, ku pritet të marrin pjesë politikanë nga 40 vende të globit dhe përfaqësues të Bankës Botërore e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Po sot, një raport i mbështetur në të dhënat e të ashtuquajturave “Panama Papers” e nxjerr Zelandën e Re si vendin kryesor për fshehjen e parave nga pasanikët. Kryeministri John Key është vënë nën presionin për të marrë masa, pasi mediet lokale analizuan më shumë se 61 mijë dokumente të rrjedhura nga arkivi i “Mossac Fonseca”-s, që lidheshin me këtë shtet.

Firma panameze duket e kishte promovuar Zelandën e Re si një vend ideal për të bërë biznes, falë lehtësirave të mëdha tatimore, nivelit të lartë të ruajtjes së fshehtësisë dhe sigurisë së fortë ligjore.

Top Channel