PD, Duma: Sadriu i Ramës ka kapur Komisionin e Prokurimeve Publike

07/05/2016 12:50

Sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma ka akuzuar deputetin e PS Sadri Abazi se përmes një skeme korrupsioni të mbështetur nga kryeministri Rama ka shumëfishuar tenderat e fituar nga kompanitë e tij.

“Kemi bërë publike se si oligarku i Ramës, Sadri Abazi merr dhjetëra tendera, shpallet gjithnjë fitues, me ofertën më të lartë dhe merr pothuajse fondin limit. Tendera në OSHEE, tendera tek rrugët, tendera kudo. Madje, së fundmi u zbulua se miku dhe ndërmjetësi i tij Taulant Balla i kishte siguruar dhe nja 780 milionë lekë në Bashkinë e Librazhdit”, ka deklaruar Duma.

Më e rënda, sipas saj, “është kapja që Sadriu i Ramës i ka bërë institucionit kyç të tenderave që është Komisioni i Prokurimeve Publike, aty ku si rregull duhet të shqyrtohen ankesat e operatorëve të tjerë”.

“Nëse je në garë me Sadriun dhe dihet se garën e ke të humbur para oligarkut të Ramës, atëherë duhet t’i drejtohesh KPP-së me ankesë. Mirëpo KPP-ja është kthyer në një zyrë të Sadriut”, ka thënë Duma, e cila ka parashtruar dy pyetje:

“A është një ish-drejtues i kompanisë së Sadriut, “Alko Impex”, pjesë e KPP, pikërisht në zyrën e shqyrtimit të ankesave? A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i Sadriut me përfaqësuesen ligjore të KPP?”,

“Sigurisht, Sadriu heshti, Taulanti heshti, Rama heshti. Sot po e bëjmë më konkrete pyetjen: a është Jonaid Myzyri, më parë menaxher i Sadriut, në një post kyç sot në Komisionin e Prokurimeve Publike? Po përfaqësuesi ligjor i Sadriut, Taulant Godroli, a ka lidhje me përfaqësuesen ligjore të KPP, e megjithatë ata përballen ne gjykatë dhe gjithnjë fiton kompania e Sadriut?”, ka vijuar Duma.

Ajo ka theksuar se, “heshtja e oligarkut, e ndërmjetësit të tij Taulant dhe e Ramës konfirmojnë këtë formë tronditëse të korrupsionit e kapjes së institucionit kryesor të tenderimit”.

“Ky korrupsion është arsyeja pse Rama dhe oligarkët e tij pasurohen çdo ditë e më shumë, ndërsa populli zhytet në papunësi, varfëri e mjerim çdo ditë e më shumë”, ka shtuar Duma.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA