Sulmi ndaj kampit në Siri, OKB: Të hetohet si krim lufte

06/05/2016 00:00

Sulmi ajror ndaj kampit të refugjatëve sirianë që i kushtoi jetën të paktën 28 personave mund të konsiderohet si një krim lufte. Kështu deklaroi për “BBC” Stephen O’Brien, shefi i çështjeve humanitare në OKB, ndërsa bëri thirrje për një hetim të plotë për sulmin në kampin Kamouna në provincën e Idlibit.

Raporte të ndryshme thonë se sulmi ajror në këtë zonë që kontrollohet nga rebelët u krye nga avionë luftarakë rusë apo sirianë, por kjo s’është konfirmuar. Sulmi i të enjtes u bë vetëm një ditë pasi u konfirmua zgjerimi i armëpushimit duke treguar se fjalët mbeten të tilla dhe se në terren situata është plotësisht e ndryshme.

“Dyshimi bie fillimisht mbi qeverinë siriane dhe ne duhet të sigurohemi se kushdo qofshin fajtorët, duhet të dalin para drejtësisë për këtë akt të tmerrshëm. Mos kini asnjë dyshim se akte të tilla, pavarësisht ku ndodhin dhe kush i kryen, nuk do të harrohen dhe përgjegjësit do të ndëshkohen”, deklaroi O’Brien.

Ndaj sulmit reaguan edhe zyrtarë të shumtë ndërkombëtarë, të cilët thanë se është e paimagjinueshme se si mund të sulmohet një kamp refugjatësh.

Mjaft i ashpër ishte edhe ministri i Jashtëm britanik, Philip Hammond, i cili fajësoi drejtpërdrejtë qeverinë siriane duke thënë se sulmi tregon se regjimi i Asad nuk dëshiron armëpushim apo paqe dhe kjo është mëse e qartë.

Në shkurt, një armëpushim i negociuar nga SHBA dhe Rusia hyri në fuqi në Siri, por shumë shpejt luftimet rinisën, sidomos në qytetin e Alepos ku vetëm gjatë dy javëve të fundit, mbi 300 persona janë vrarë.

OKB paralajmëroi më herët se dështimi i armëpushimit do të përkthehet në katastrofë të jashtzakonshme dhe mund të shtyjë mbi 400 mijë refugjatë të dëshpëruar drejt kufirit turk.

Top Channel