Shullazi mbetet në burg. Apeli rrëzon kërkesën për lirim

05/05/2016 00:00

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda rrëzoi kërkesën e avokatëve të Emiljano Shullazit, Gilmando Danit dhe Blerim Shullazit, duke lënë në fuqi vendimin e para dy javëve të “arrestit me burg”.

Trupa gjyqësore me kryesues Dhimitër Larën e konsideruan të pabazuar kërkesën e 3 të dyshuarve si pjesëtarë të një grupi kriminal. Por, ndërsa Emiliano Shullazi mungonte, duke deleguar që ta përfaqësonte mbrojtja, avokatët e tij i thanë Gjykatës së Apelit se, nuk ka asnjë kallëzim ndaj 38-vjeçarit për episodet e paraqitura në Shkallën e Parë.

Por, për Prokurorinë e Apelit, dyshimet janë të forta dhe po kryhen veprime të mëtejshme hetimore, ndërkohë që ekzsiton rreziku i ikjes, tha përfaqësuesi i akuzës. Me argumentin të jenë të disponueshëm për hetimet që po kryhen, si dhe të rrezikshmërisë së veprave dhe rrezikut të ikjes, u kërkua që të liheshin në burg edhe Blerim Shullazi dhe Gilmando Dani.

Ky i fundit, i vetmi i dyshuar që erdhi për shqyrtimin e masës, replikoi duke i kujtuar gjykatës se nuk ekziston rreziku i ikjes, pasi “Unë – tha Dani, – u paraqita vet në Policinë e Tiranës”.

Të 3 të dyshuarit, sipas Prokurorisë, kanë kanosur Dhori Kulen e Mynyr Konin, ka dyshime se kanë ushtruar presion për të tjetërsuar pronësinë për “Vollgën”, si dhe kanë tentuar të përvetësojnë 1.200 metra katrorë parking në kryeqytet.

Ndërkohë që episodi, që është ende nën hetim dhe i veçuar nga rastet e mësipërme, ka lidhje me kallëzimin e një gruaje, e cila pretendon se i kanë marrë një pasuri me vlerë një milion euro.

Emiljano Shullazi u arrestua më 17 prill pas deklaratave të bëra nga ish-kryeministri Sali Berisha se kishte kërcënuar Mynyr Konin, në atë kohë kandidat, sot Rektor i Universitetit të Tiranës, që të tërhiqej nga gara për këtë post. Vet Mynyr Koni ka pranuar se është kërcënuar, por këmbënguli në dëshmitë e dhëna si në polici ashtu edhe në Prokurori se nuk i njihte personat që e kishin kërcënuar.

Top Channel