Presidenti kinez: S’ka luftë për pushtetin në parti

05/05/2016 00:00

Xi Jinping hodhi poshtë raportet se në majat e politikës kineze po zhvillohet një luftë e ashpër për pushtetin, por tha se ka komplotistë për përpiqen të dëmtojnë Partinë Komuniste nga brenda.

Në një fjalim të publikuar në shtyp, Presidenti kinez paralajmëroi se prania e intrigave dhe klikave brenda partisë rrezikon që të kompromentojë sigurinë politike të vendit dhe të partisë.
 
“Këta janë karrieristë dhe komplotistë që ekzistojnë brenda partisë dhe dëmtojnë qeverisjen e partisë. Ne nuk duhet të fshehim kokën në rërë dhe t’i kursejmë ata, por të reagojmë fort dhe të eliminojmë problemin për të shmangur shkelje të tjera”, deklaroi Jinping.
 
Fjalimi i tij vjen në një kohë kur rriten spekulimet për përballje fraksionale brenda Partisë Komuniste kineze me 88 milionë anëtarë që Xi Jinping udhëheq që prej vitit 2012.

Si prova për këtë, ekspertët tregojnë përpjekjet e fundit të Jinping për të kontrolluar Ligën e Rinisë Komuniste, e cila është baza e fuqisë së ish-presidentit Hu Jintao dhe kryeministrit aktual Li Yuanchao.

Që kur mori pushtetin, Presidenti kinez ka grumbull një sërë titujsh si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, President i republikës, kryetar i Komisionit Qendror të Ushtrisë, lider i Komisionit Kombëtar të Sigurisë dhe kryetar i Grupit të Reformave. Disa akademikë kanë nisur ta quajnë atë “kryetari i gjithçkaje”.

Xi Jinping ka prioritet fushatën antikorrupsion dhe në kuadër të saj janë ndëshkuar qindra mijëra zyrtarë, përfshirë figura kryesore të partisë dhe ushtrisë. Por ekspertët thonë se lufta ndaj korrupsionit ka shkaktuar pakënaqësi mes zyrtarëve, paralizë politike dhe i ka hapur rrugë dyshimeve se Xi Jinping po e përdor këtë fushatë për të eliminuar armiqtë e tij politikë.

Top Channel