Presidencialet në SHBA, dinastia “Bush” nuk e mbështet Trumpin

05/05/2016 00:00

Dinastia “Bush”, me dy ish-presidentë dhe një kandidat për president, nuk do ta mbështesin kandidaturën presidenciale të Donald Trumpit, sipas asaj që kanë bërë të ditur ndihmësit e tyre për mediet lokale. Kjo është hera e parë për 91-vjeçarin George Bush, i cili në 5 zgjedhjet e fundit presidenciale ka mbështetur gjithnjë kandidatin republikan për Shtëpinë e Bardhë.

Në fakt, ky nuk është vetëm një vendim i dinastisë në fjalë, pasi politikanët republikanë janë ende të përçarë nëse do të duhet të mbështesin apo jo manjatin e pasurive të paluajtshme Trump, i cili tashmë ka mbetur edhe kandidati i vetëm për nominimin republikan, duke qenë se rivalët e tij të fundit, Cruz dhe Kasich u tërhoqën gjatë kësaj jave nga gara.

Ish-presidentët George Bush dhe George W. Bush kanë zhvilluar fillimisht fushatë për ish-guvernatorin e Floridës, Jeb Bush, por edhe ky u tërhoq nga gara në muajin shkurt, duke qenë se nuk grumbulloi një mbështetje të mjaftueshme për ta vijuar sfidën ndaj Trumpit. Në të kaluarën, të dy ish-presidentët kanë mbështetur kandidaturat republikane për president, si John McCain në vitin 2008 dhe Mitt Romney në vitin 2012.

Edhe pse asnjëri prej dy ish-presidentëve nuk e kanë sulmuar haptazi miliarderin Trump, apo qoftë edhe propozimet e tij politike, George W. Bush bëri një kritikë “të maskuar” gjatë një shfaqjeje në fushatën e vëllait të tij më të ri, kur tha se “personi më i fortë, zakonisht nuk është ai më i zhurmshmi në një dhomë”.

“E kuptoj që amerikanët janë të irrituar dhe shumë madje. Por, ne nuk kemi nevojë për dikë në Zyrën Ovale, i cili të pasqyrojë apo të ndezë edhe më shumë irritimin tonë”, tha i dyti i dinastisë Bush përpara audiencës së Karolinës së Jugut.

Propozimet kryesore politike të sulmuara të Trumpit janë pikërisht ndërtimi i një muri përgjatë kufirit me Meksikën, si dhe ndalimin e futjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.

Deri më tani, Donald Trump gëzon mbështetjen e senatorit të New Hampshire, Kelly Ayotte; neurokirurgut të dalë në pension, Ben Carson; guvernatorit të New Jerseyt, Chris Christie; ish-guvernatorit të Louisianas, Bobby Jindal; udhëheqësit të shumicës në Senat, Mitch McConnell; si dhe të guvernatorit të Nevadës, Brian Sandoval.

Ndërkohë, ata që nuk do ta mbështesin janë ish-presidenti George H.W. Bush, ish-presidenti George W. Bush, ish-guvernatori i Massachusetts, Mitt Romney, si dhe senatori i Nebraskës, Ben Sasse. Priten gjithashtu edhe vendimet e disa të tjerëve, përfshi vëllain e vogël të dinastisë Bush, ish-guvernator i Floridës, Jeb Bush; senatorit të Teksasit, Ted Cruz; guvernatorit të Ohios, John Kasich; senatorit të Floridës, Marco Rubio; si dhe guvernatorit të Wisconsinit, Scott Walker.

Top Channel