E ardhmja e thatë, BB: Do të dëmtojë ekonomitë

05/05/2016 00:00

Mungesat e ujit do të shkaktojnë një dëm të madh në ekonomitë e Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe Afrikës deri në mes të shekullit, duke rezultuar në ulje dy shifrore në produktet e brendshme bruto.

Ky është paralajmërimi i Bankës Botërore, e cila thotë se deri në 2050, kërkesa në rritje për qytetet dhe bujqësinë do të pakësojë rezervat e ujit edhe atje ku tani është me bollëk. Banka Botërore parashikon se përkeqësimi i mungesës së ujit në Afrikë dhe Azi do të shkaktojë konflikte dhe migrim.

Pa ndryshime në menaxhim, mungesat e ujit do të ulin me 14% GDP-në e Lindjes së Mesme dhe me 12% në Afrikën Qendrore. Në Azinë Lindore kjo ulje do të jetë 7%, ndërsa në Azinë Qendrore 11%. Sipas raportit të Bankës Botërore, edhe qeveritë e shumë vendeve po shqetësohen gjithnjë e më shumë për kërcënimin ndaj rezervave të ujit që vijnë nga kombinimi i ndryshimeve klimaterike me kërkesën gjithnjë e në rritje.

Raporti parashikon se Amerika Veriore dhe Europa Perëndimore nuk pritet të kenë probleme dhe bën të qartë se kërcënimi është i drejtpërdrejtë në vendet në zhvillim. Shkencëtarët paralajmërojnë se pjesa më e madhe e botës do të përballet me një të ardhme shumë më të thatë dhe të nxehtë, ndërsa thonë se që tani thatësira është problematike në shumë zona të botës.

Sipas raportit të Bankës Botërore, shumë qyteteve deri në vitin 2050, mund t’i pakësohen rezervat e ujit me dy të tretat. Megjithatë, në të shkruhet se përdorimi më efektiv i ujit mund të sjellë një ndryshim themelor në skenarët ekonomikë të mes shekullit për rajonet e kërcënuara nga mungesa e ujit.

Top Channel