Kina nis të shqetësohet për Trumpin: Nga tregtia fitojnë të dyja palët

04/05/2016 00:00

Me tërheqjen e Ted Cruzit dhe perspektivës tashmë të qartë të marrjes së nominimit republikan nga Donald Trump, Kina jep shenjat e para të shqetësimit. Përmes zëdhënësit Hong Lei, Ministria e Jashtme e vendit komunist i nxiti njerëzit në Shtetet e Bashkuara ta shohin në mënyrë më racionale dhe objektive marrëdhënien mes dy vendeve.

Trump ka propozuar rritjen e taksave mbi mallrat kineze të importit në masën 45%, e pretendon se Kina është duke zhvilluar një “luftë ekonomike” kundër SHBA-ve, që po iu kushton amerikanëve vende pune. Lei u tregua i kujdesshëm të mos komentonte mbi zhvillimet e fundit të garës elektorale, por në të njëjtën kohë la të kuptohej sesa i domosdoshëm konsiderohet objektiviteti në këtë situatë.

“Zgjedhjet presidenciale janë një çështje e brendshme e Amerikës, mbi të cilën ne nuk mund të komentojmë. Ajo që duhet theksuar në këtë rast është se, thelbi i bashkëpunimit tregtar dhe atij të biznesit mes vendeve tona mbetet përfitimi për të gjithë dhe marrëveshjet që janë me interes për të dyja palët”, tha Hong Lei, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Zyrtarët kinezë i kane shmangur përgjithësisht kritikat e drejtpërdretja ndaj Trumpit, edhe pse tërthorazi e kanë fshikulluar propozimin e tij për t’iu ndaluar myslimanëve hyrjen në Shtetet e Bashkuara, apo deklaratat për vjedhjen e vendeve të punës. Muajin e kaluar, megjithatë, ministri kinez i Financave shpërtheu ndaj manjatit njujorkez pas komenteve mbi taksat, duke e cilësuar si “një njeri totalisht të palogjikshëm”.

Top Channel