KLD-ja jep miratimin për arrestimin e gjyqtarit Hoxha

03/05/2016 21:50

Këshili i Lartë i Drejtësisë, në një mbledhje jashtë radhe, vendosi të japë miratimin e tij për arrestimin e gjyqtarit Ibrahim Hoxha si edhe e pezulloi atë nga detyra deri në dhënien e një vendimi të formës së prerë për të.

KLD-ja miratoi kërkesën e bërë nga Prokurori i Përgjithshëm, duke i dhënë autorizimin prokurorit të çështjes që t’i drejtohet Gjykatës së Shkallës së Parë për të zhvilluar seancën gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë. Ibrahim Hoxha u arrestua mbrëmjen e së hënës, pasi akuzohet se në këmbim të parave do të favorizonte njërën palë në një proces gjyqësor që kishte më shumë se dy vjet në proces. Gjyqtari ra nën përgjim rastësisht. Njeriu i cili po përgjohej nga policia ishte personi i cili kërkonte të fitonte procesin gjyqësor në këmbim të parave.
 
Nga prokuroria janë marrë në pyetje të katër të ndaluarit, gjyqtari Hoxha, i biri dhe sekseri Novruz Gajde, ish-oficer i policisë dhe personi që ka ofruar paratë, Dritan Jazexhiu. Ata janë shprehur se shuma prej 600 mijë lekësh e sekuestruar ishte marrë për shitjen e makinës, version ky që rrëzohet nga përgjimet telefonike. Sipas përgjimeve, pasi kishin dakordësuar shumën dhe vendin e dorëzimit të parave gjyqtarin dërgoi të birin t’i merrte.

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, gjatë një deklarate publike paraditen e së martës, nxiti çdo qytetar të bëjnë denoncime.

Top Channel