Gjenden në Malin e Çikës dy turistët italianë

02/05/2016 00:00

Policia e Vlorës i ka ardhur në ndihmë dy turistëve italianë, të cilët prej 24 orësh kishin humbur rrugën në malin e Çikës në Himarë.

Policia e Vlorës ishte njoftuar rreth orës 14:30 të ditës së diel për ngjarjen në fjalë dhe menjëherë është vënë në lëvizje për t’i ardhur në ndihmë dy turistëve që kishin humbur.

Për gjetjen e tyre janë angazhuar shërbimet e Policisë së Vlorës, shërbime të “Delta Forcë”, “Guarda di Finanza”, të cilët kanë bashkëpunuar, duke kërkuar përgjatë natës së kaluar, në kushte të vështira mes errësirës dhe reshjeve të shiut dhe mungesës së kontaktit telefonik me këta 2 shtetas, pasi i’u ishin fikur telefonat. Ditën e sotme kanë bërë të mundur gjetjen e tyre në mal, ku kishin rrëshqitur për shkak të lagështirës në një shpellë rreth 70 m e thellë, dhe janë nxjerrë prej andej  me ndihmën e litarëve.

Dy turistët italianë janë shtetasit, L. R, 26 vjeç, banues në Ankona dhe P. C., 31 vjeç, banues në Trevizio.

Turistët u dërguan më pas në pikën më të afërt në Himarë, ku përpos shërbimeve të tjera po i priste edhe shërbimi mjekësor me autoambulancë, të cilët kanë vizituar 2 turistët.

Ekipi mjekësor ka konstatuar  se dy turistët ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë patur nevojë për trajtim mjekësor.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel