Testet bërthamore, Obama hedh poshtë propozimin korean

25/04/2016 11:40

Presidenti amerikan Barack Obama ka refuzuar propozimin e Koresë së Veriut për të pezulluar testet bërthamore nëse Shtetet e Bashkuara i japin fund stërvitjeve ushtarake vjetore me Korenë e Jugut.

Ditën e diel, Obama u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë marrë seriozisht këtë propozim, duke theksuar se, “Peniani duhet të bëjë më shumë se kaq”.

Ministri i Jashtëm i vendit aziatik, Ri Su Yong e bëri këtë ofertë në një intervistë të rrallë televizive. Stërvitjet ushtarake vjetore të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut gjithmonë acarojnë Veriun.

Komentet e zotit Ri erdhën teksa Peniani testoi një raketë balistike të qëlluar nga një nëndetëse në ujërat e saj lindore.

Ai tha për “Associated Press” se, “nëse vazhdojmë me rrugën e konfrontimeve, kjo do të sjellë rezultate katastrofike jo vetëm për dy vendet, por për të gjithë botën”.

“Është jetike që Shtetet e Bashkuara t’i japin fund politikës së tyre armiqësore kundër Koresë së Veriut dhe si shprehje të këtij vullneti të anulojnë stërvitjet ushtarake në gadishullin korean. Atëherë ne do të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë”, tha Ri.

Ai shtoi se Korea e Veriut nuk do të tërhiqet pavarësisht sanksioneve aktuale të vendorusa nga SHBA dhe aleatet e tyre.

Top Channel