Obama vlerëson Merkel: Mjaft e guximshme për emigrantët

23/04/2016 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, nuk i kurseu lëvdatat për Angela Merkelin, gjatë një interviste për të përditshmen “Bild”, vetëm një ditë para se të vizitojë Gjermaninë.

Lideri i Shtëpisë së Bardhë theksoi rëndësinë e Gjermanisë si një aleat i ngushtë i SHBA, nën lidershpin e kancelares. Ai e cilësoi atë një partner të pazëvendësueshëm për sigurinë e të gjithë botës.

“Me kancelaren Merkel pozitat e Gjermanisë janë shumë më të fuqishme në skenën ndërkombtare”, pohon Obama në intervistën e publikuar të shtunën. Ai vlerëson bashkëpunimin e 2 vendeve në luftën kundër terrorizmit, në arritjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe gjithashtu ujdinë klimaterike të Parisit.

I pari i Uashingtonit nuk hezitoi gjithashtu t’i dalë në mbrojtje kancelares për politikën e refugjatëve, për të cilën ajo është kritikuar jo pak, brenda dhe jashtë Gjermanisë.

Për Obamën, qëndrimi i Merkelit ishte shumë i guximshëm. Ajo, sipas tij, kishte sjellë në qendër të vëmendjes detyrën morale të botës ndaj atyre që braktisin shtëpitë e tyre, të shtyrë nga rrethanat e tmerrshme, siç u shpreh.

Pikërisht në ditën kur kancelarja gjermane viziton Turqinë për të promovuar marrëveshjen për emigrantët, Presidenti amerikan e cilësoi atë një hap përpara drejt shpërndarjes së barrës së strehimit të refugjatëve, por paralajmëroi për rëndësinë e trajtimit të tyre me respekt dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Obama përsëriti gjithashtu premtimin për të pranuar 85 mijë refugjatë nga e gjithë bota në vitin 2016.

Top Channel