Trumpi premton të ndryshojë imazh

22/04/2016 08:10

Donald Trump premtoi se do të ndryshojë imazhin e tij në një takim me dyer të mbyllura me krerët e Partisë Republikane. Biznesmeni që udhëheq garën për t’u bërë kandidati presidencial i partisë së vjetër, e dërgoi këtë mesazh përmes ndihmësve të tij.

Kështu raporton agjensia Associated Press, ndërsa analistët, siç kishin parashikuar, thonë se ndërsa fundi i garës afrohet, është normale që Trumpi të zbusë retorikën e tij. Suksesi i Trumpit në zgjedhjet partiake ka ngritur alarmin brenda partisë se toni dhe politikat e tij do të largojnë votuesit. Të martën e ardhshme 5 shtete amerikane do të votojnë për të preferuarin e tyre dhe epilogu i garës do të bëhët gjithnjë e më i qartë. Trumpi thuasje e ka siguruar fitoren, por nëse nuk arrin dot 1237 delegatët që duhen për kandidimin automatik, kandidati i partisë zgjidhet në negociata brenda saj dhe Trumpi e di që aty do ta ketë tejet të vështirë.

Associated Press shkruan se ndihmësit e Trumpit, në mbledhjen me krerët e partisë, thanë se ai deri tani ka projektuar një imazh dhe se pjesa që po luan po zhvillohet. Duke cituar fjalët e Pol Manafort, një ndihmës i Trumpit i sapopunësuar, miliarderi e di që duhet të moderojë personalitetin e tij dhe se duke bërë këtë, vlerësimet negative do të pakësohen dhe imazhi i tij do të ndryshojë për mirë.

Sondazhet tregojnë se Trumpi ka shumë pak mbështetje mes femrave pas një serie komentesh mjaft të debatueshme për to, për abortin dhe gruan e rivalit të tij Ted Cruz. Pas fitores së rëndësishme në Nju Jork, vetë Trumpi dha shenja moderimi kur deklaroi se do të vijë momenti që do t’i duhet të jetë presidencial dhe njerëzve kjo do t’i duket e mërzitshme.

Top Channel