Shpërthimi në rafinerinë e naftës në Meksikë, kërkohet e vërteta

22/04/2016 09:00

Të afërmit e punëtorëve të një fabrike petrokimike që shpërtheu në Meksikë kanë kërkuar përgjigje nga drejtuesit e saj për atë që ndodhi. Shpërthimi u verifikua në një impiant në qytetin jugor Coatzacoalcos në shtetin Verakruz dhe shkaku i tij nuk dihet ende. Të paktën 24 njerëz u vranë nga shpërthimi, ndërsa 13 të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dhjetëra familjarë të viktimave u mblodhën para dyerve të fabrikës dhe kërkuan që të flasin me drejtuesit e saj. Disa prej tyre tentuan që të hyjnë me forcë në fabrikë. Kompania Pemex, përgjegjëse për fabrikën, tha se po zhvillohen hetimet për të zbuluar shkakun e shpërthimit dhe sapo të ketë rezultate, do të bëhen publike.

Zemërimi publik është rritur ndjeshëm për shkak të këtij incidenti, ndërsa ka zëra se tymi toksik i shpërthimit mund të ketë helmuar shumë njerëz dhe në zonat e banuara rreth fabrikës. Në fakt, pas shpërthimit autoritetet mbyllën shkollat dhe evakuuan me mijëra njerëz që ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre.

Meksika nuk ka një dosje të mirë sigurie në fabrikat e saj dhe incidente të tilla janë verifikuar periodikisht, duke bërë njerëzit të dyshojnë se standardet e sigurisë nuk respektohen dhe se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë.

Top Channel