Obama mbështet qëndrimin e Britanisë në BE

22/04/2016 10:25

Aftësia e Britanisë së Madhe për të luftuar terrorizmin do të ishte më efektive nëse ajo qëndron në Bashkimin Evropian. Kështu thotë presidenti amerikan Barak Obama në një shkrim për gazetën “Daily Telegraph”, në të cilin thekson se qëndrimin në BE rrit influencën e Britanisë në botë. Presidenti amerikan mbërriti në Britani të enjten vonë për një vizitë 3-ditore në vend.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë shkruan se janë votuesit britanikë që duhet të vendosin për fatin e tyre, por nënvizon se vendimi i tyre është i rëndësishëm edhe për Amerikën. “Dhjetëra mijëra amerikanë që prehen në varrezat e Evropës janë një tregues i heshtur i gërshetimit të prosperitetit dhe sigurisë sonë. Rruga që ju do të ndiqni do të ketë jehonë edhe në perspektivën e brezit të sotëm amerikan”, deklaroi Obama.

Në shkrimin e tij presidenti amerikan ngul këmbë se Mbretëria e Bashkuar ka përfituar më shumë punë, tregti dhe rritje financiare duke qenë pjesë e BE-së. Por, ndërhyrja e tij pro qëndrimit të qeverisë britanike për referendumin e 23 qershorit, është debatuar shumë dhe është cilësuar si hipokrizi nga ata që kërkojnë largimin e Britanisë nga BE-ja. Kreu i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson tha se pikëpamjet e Obamës janë një shembull i habitshëm si parimit të mirënjohur bëj si them unë dhe jo si bëj unë.

Mbështetësit e largimit të Britanisë nga BE-ja thonë se Amerika nuk do të pranonte kurrë të dorëzonte sovranitetin e saj, siç ka bërë Britania duke qenë pjesë e BE-së. Sipas tyre, nuk ka asnjë mundësi që Obama apo çdo amerikan të pranojë që Gjykata Supreme amerikane të jetë e detyruar të pranojë vendimet e një gjykate të huaj, apo që të vendosen taksa mbi amerikanët pa miratimin e Kongresit amerikan.

Vizita e Obamës në Britani është pjesë e turneut që përfshin vizitën në Arabinë Saudite, tashmë e kryer dhe më pas një vizitë në Gjermani.

Top Channel