Konflikti sirian, autokolonë e madhe ndihmash

22/04/2016 00:00

Autokolona më e madhe me ndihma, e dërguar ndonjëherë në Siri, mbërriti në një qytet të rrethuar nga rebelët në qendër të vendit. 65 kamionë po shpërndajnë ushqime dhe medikamente për 120 mijë civilët brenda dhe rreth Rastanit në provincën e Homsit.

Autokolona e komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe siriane, është e para që hyn në Rastan që prej 2012-s. Lejimi i hyrjes së ndihmave në të gjithë Sirinë ishte edhe një prej qëllimeve kryesore të armëpushimit të brishtë, në fuqi prej të paktën 2 muajsh.

Zëdhënësi i këtij komiteti, Paëel Krzysiek, sqaroi se autokolonat mbanin parcela ushqimore, miell dhe produkte të tjera jetësore, ashtu si ilaçe dhe pajisje për të përmirësuar furnizimin me ujë.
 
E ndërsa ngarkesat me ndihma po mbërrinin në vend, i dërguari i posaçëm i OKB, Stafan de Mistura, u tha gazetarëve në Gjenevë se ishte shënuar progres modest por real në shpërndarjen e ndihmave humanitare për të paktën 500 mijë njerëz që jetojnë në zonat e rrethuara.

Rastani, rreth 20 km larg qytetit të Homsit, ka qenë së fundmi shënjestër e sulmeve ajrore të forcave të regjimit, që çuan në prag të kolapsit armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA-të dhe Rusia.

Top Channel