Akuzat ndaj myslimanëve, ministrit belg i kërkohen prova

22/04/2016 00:00

Ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon, është vënë në shënjestër të kritikave pasi deklaroi se një pjese e mirë e komunitetit mysliman në vend kishte kërcyer pas lajmit për sulme terroriste në Bruksel.

Parlamentarët po i kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme të mbrojë me prova pretendimin e tij dhe një grup myslimanësh ka bërë ankesë zyrtare.

Jambon, partia e së cilit është më e madhja në Parlament, lëshoi deklaratën e shumë kundërshtuar gjatë një interviste për një gazetë vendase.

Rivalja politike, Katja Gabriels, e paralajmëroi atë se një pjesëtar i qeverisë nuk mund të bënte përgjithësime të tilla e të fyente një pjesë të komunitetit. Të tjerë kanë kërkuar prova dhe të dhëna për akuzën e ngritur.
 
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm ka replikuar se të gjithë e dinin se kjo gjë kishte ndodhur, dhe se nuk duhet të prisnin një raport zyrtar policie për të vërtetuar faktet.
 
“Disa e kanë bërë, por jo shumë”, ishin fjalët e Jambon. Ai u kujtoi gjithashtu kolegëve të tij se në momentin e arrestimit të Salah Abdeslam, i dyshuar për sulmet e Parisit, policia u godit me gurë dhe shishe.

Edhe një efektiv i policisë pohoi se kishte qenë dëshmitar i 3 incidenteve të veçanta pas sulmeve të Brukselit, ku disa të rinj qeshnin dhe bënin shenjën e fitores me gishtat e tyre. Gjithsesi, ai shtoi se nuk kishte parë askënd të kërcente.

Top Channel