Skllavja zëvendëson presidentin në kartëmonedhën 20 dollarëshe

21/04/2016 00:00

Njoftimi i Departamentit Amerikan të Thesarit se në kartëmonedhat 20 dollarëshe, fytyrën e ish-presidentit Andrew Jackson do ta zëvendësojë ajo e aktivistes kundër skllavërisë, Harriet Tubman, është mirëpritur nga shumica e banorëve të Uashington.

Kjo është hera e parë që më shumë se një shekull që në bankënotat amerikane stampohet figura e një gruaje.

“Jam shumë e gëzuar që Harriet Tubman do të jetë në kartëmonedhën 20 dollarëshe. Ishte koha që në paratë tona të kishte një grua afro-amerikane apo dhe një figurë të cilitdo minoriteti”, u shpreh Nancy Lebaron, banore e Uashington. 

 “Duke qenë dhe vetë me ngjyrë, jam shumë e kënaqur. Ajo është një nga heroinat e mia amerikane dhe jam e lumtur që po e përfshijnë në këtë mënyrë”, tha një tjetër banore. 

Tubman e lindur ne skllavëri në 1820-ten, ndihmoi me qindra vetë që të arratiseshin e u kthye në një liderë të lëvizjes abolicioniste gjatë luftës civile.

“Historia e saj e jashtëzakonshme e vlerave dhe angazhimit për barazi, mishëron të gjitha idealet e demokracisë që vendi ynë kërkon të lartësojë”, u shpreh sekretari i thesarit Jack Lew.

Modifikime do të kenë, ndërkohë edhe kartëmonedhat 10 dhe 5 dollarëshe me qëllimin që të përfshijnë momente domethënëse të historisë amerikane, siç është fillimi i lëvizjes femërore në 1913-tën.

Top Channel