Siri, nis evakuimi i të plagosurve nga qytetet e sulmuara

20/04/2016 20:55

Agjencitë e shpëtimit, të mbështetura nga OKB, kanë nisur evakuimin e 500 personave të plagosur nga qytetet siriane të prekura nga lufta.

Gjysma e tyre do të vijnë nga qytete të bllokuara nga trupat pro-qeveritare, ndërsa gjysma tjetër nga ato të kontrolluara nga rebelët. Thuajse gjysmë milion persona jetojnë nën presionin e luftimeve në Siri, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara.

Bisedimet e paqes që nisën një javë më parë në Gjenevë kanë hasur vështirësi dhe ka pasiguri nëse armëpushimi i pjesshëm i nisur më herët gjatë vitit do të vazhdojë të zgjasë.

Përfaqësuesit e opozitës u larguan nga tryeza e bisedimeve ditën e martë pasi sulmet ajrore qeveritare vranë 40 persona në zonat e kontrolluara nga rebelët.

Agjencia e lajmeve “Reuters” raporton më tej se 250 persona të plagosur po evakuohen nga lokalitetet Zabadani dhe Madaja, në afërsi të kufirit libanez. Të dyja qytetet mbahen të bllokuara nga trupat qeveritare.

Ndërkohë, një marrëveshje tjetër është arritur për largimin e 250 të plagosurve nga qytetet Foah dhe Kefraja, në veri-perëndim të vendit, të dyja të bllokuara nga rebelët.

Top Channel