Samiti i OKB-së për drogën, ndarje të thella mes vendeve

20/04/2016 08:05

OKB-ja ka hapur takimin mbarëbotëror për politikat mbi drogën në Nju Jork, një konferencë që është cilësuar nga më të rëndësishmet në këtë kuadër gjatë viteve të fundit.

Qëllimi i samitit është të reformojë strategjinë globale në luftën kundër drogës, por që në orët e para të hapjes së tij u panë qartë ndarjet e thella që ekzistojnë mes vendeve për këtë çështje. Ndërsa disa vende favorizojnë dekriminalizimin, të tjera ende dënojnë me vdekje konsumin e drogës. Figura të njohura në botë i dërguan një letër shefit të OKB-së, Ban Ki Mun para samitit, duke kërkuar një qasje më liberale ndaj kësaj çështjeje.

Mes firmëtarëve ishin disa ish-presidentë, politikanë amerikanë dhe biznesmenë, të cilët thonë se ndalimi i drogave me ligj sjell më shumë dëme sesa progres. Samiti 3-ditor u kërkua nga Kolumbia, Meksika dhe Guatemala, tre vende me probleme nga më të theksuarat në botë përsa i takon drogës dhe dhunës që ajo gjeneron.

Presidenti i Meksikës Enrique Pena Nieto paralajërmoi se politikat e ashpra kundër drogës krijojnë një rreth vicioz margjinalizimi dhe krimi. Disa delagatë në samit kërkuan që të anulohet në të gjithë botën dënimi me vdekje për krimet në lidhje me drogën. Por Indonezia, një prej vendeve ku dënimi kapital përdoret në krime të tilla, tha se kjo është çështje që çdo shtet duhet ta vendosë në mënyrë të pavarur.

Një dokument i adoptuar për këtë samit kërkon dënime proporcionale, por nuk bën referenca për dënimin me vdekje. Megjithëse nuk priten vendime të jashtëzakonshme në këtë samit, aktivistët shpresojnë se ai do të sjellë një hap të madh përpara.

Top Channel