Vizita e Obamës në Londër, ndalimi i “drone”-ve si pjesë e planit të sigurisë

19/04/2016 00:00

Londra do të jetë e blinduar përgjatë vizitës së Presidentit amerikan, Barack Obama, por ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti që, ndër të tjera, do të ndalohet edhe përdorimi i “drone”-ve, apo avionëve të telekomanduar.

Lajmi bëhet i ditur nga zyrtarë të aviacionit, të cilët kanë dhënë edhe periudhën kohore se kur do të ndalohet ngritja e një të tilli në ajër, pikërisht nga ora 9 e mëngjesit të së enjtes deri në orën 22:30 të mbrëmjes së të dielës, sipas orës standarde britanike (GMT+1). Kufizimi i “drone”-ve do të shtrihet mes Londrës dhe Windsorit, aty ku Obama do të drekojë me Mbretëreshën Elisabeth gjatë së premtes.

Autoritetet thonë se ky është një një kufizim rutinë, i ngjashëm me ato që vihen në zbatim për ngjarje të rëndësishme sportive. Megjithatë, ajo që nuk dihej nga të gjithë është se, kjo masë vjen edhe për shkak të përplasjes së një avioni pasagjerësh që fluturonte drejt Londrës me një “drone” gjatë së dielës, të paktën nga sa besohet.

Detektivët kanë nisur hetimet, pasi piloti i një fluturimi të “British Airways” që po tentonte të ulej në Aeroportin e “Heathrow”-t, raportoi për goditjen e avionit të tij nga një pajisje e telekomanduar. Policia tha se “drone” ishte ngritur nga një ambient i afërt i Parkut Richmond në Jugperëndim të Londrës.

Gjatë shpalljes së këtij kufizimi, Shërbimi britanik i Kontrollit Ajror Kombëtar bëri të ditur se ai ishte pjesë e një “plani gjithëpërfshirës sigurie” për vizitën e Presidentit Obama dhe Zonjës së Parë, Michelle Obama.

Sa për informacion të mëtejshëm, Autoriteti i Aviacionit Civil ka bërë të ditur se “drone”-t fluturojnë zakonisht deri në 122 metra lartësi. Një lartësi kjo që nuk përbën rrezik për avionët e pasagjerëve, të cilët bazuar mbi rregullat e fluturimeve duhet të ngjiten jo më pak sesa 762 metra lartësi, pavarësisht se i kanë të pashmangshme lartësitë e ulëta kur ata ulen nëpër aeroporte.

Top Channel