Turqia: Nëse s’hiqen vizat marrëveshja me BE anulohet

19/04/2016 10:55

Tashmë në pozitat që të lëshojë paralajmërime, Turqia u kujtoi udhëheqësve europianë se pakti i emigrantëve varet nga marrëveshja e vizave. “Po nuk mbajtën zotimin për lehtësimin e regjimit të vizave deri në qershor, atëherë zbatimi i ujdisë BE-Turqi mund të pezullohet”, iu tha kryeministri Ahmet Davutoglu gazetarëve, në Aeroportin e Ankarasë, përpara nisjes drejt Strasburgut.

“Angazhimi ishte i dyanshëm. Nëse Bashkimi Europian nuk i ndërmerr hapat e kërkuara prej tij, atëherë sigurisht nuk ka sesi të presë nga Turqia që të respektojë pjesën e saj të marrëveshjes”, tha Ahmet Davutoglu, kryeministër i Turqisë.

I së njëjtës linjë me shefin e ekzekutiv ishte edhe ministri i Jashtëm, Mevlut Cavusoglu. Ligjvënësve në Ankara, ai iu tha se Turqia do ta anulojë marrëveshjen, nëse blloku nuk e mban fjalën e dhënë.

“Pakti që arritëm me BE-në ishte shumë i qartë. Ne duam që kjo tragjedi njerëzore të marrë fund dhe duam që qytetarët tanë të udhëtojnë pa viza. Nëse Bashkimi Europian nuk e mban fjalën e tij, ne do t’i anulojmë të gjitha marrëveshjet”, tha Mevlut Cavusoglu, ministër i Jashtëm.

Lehtësimi i regjimit të vizave ishte pjesë e marrëveshjes 6 miliardë euroshe të vulosur me Turqinë, në këmbim të pranimit të refugjatëve të deportuar nga Europa. Davutoglu e pranoi për çdo rast se, përpara se të arrihet heqja e vizave, Turqisë i duhet të plotësojë disa kritere teknike, 75% e të cilave – sipas tij, – deri tani janë përmbushur.

Top Channel