Afganistan, 28 të vdekur nga shpërthimi në qendër të Kabulit

19/04/2016 08:55

Shpërthimi i fuqishëm, që tronditi orët e para të ditës së sotme qetësinë e kryeqytetit afgan, Kabul, kushtoi 28 jetë njerëzish e plagosi mbi 300 të tjerë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Sediq Sediqqi sqaroi se, bëhej fjalë për një sulm vetëvrasës e shtoi se, kamikazi kishte hedhur në erë automjetin që drejtonte. Në zonë janë dëgjuar edhe të shtëna.

Një përfaqësues i talebanëve deklaroi se, shpërthimi ishte vepër e grupit militant. Sulmi vjen vetëm një javë pas pretendimeve të besnikëve të regjimit të vjetër, se janë duke nisur “ofensiven e tyre të pranverës” dhe paralajmërimeve për “sulme në shkallë të gjerë”.

Ngjarja ndodhi në një zonë rezidenciale pranë Ministrisë afgane të Mbrojtjes dhe një kompleksi ushtarak. Ndërkohë, ka raporte ende të paverifikuara se luftëtarët talebanë kanë arritur të thyejnë mbrojtjen e Drejtorisë së Sigurisë Kombëtare, agjencia kryesore e Inteligjencës në vend, që ruan zyrtarët e lartë qeveritarë.

Talebanët kanë njohur një rigjallërim të ndjeshëm vitin e kaluar, të ushqyer nga tërheqja e shumicës së trupave të NATO-s dhe forcave amerikane në fundin e 2014-s, e një sërë luftëtarësh të huaj kanë vërshuar të mbushin radhët e tyre. Sot, grupi i dhunshëm militant kontrollon një pjesë të konsiderueshme të vendit.

Top Channel