Tërmeti në Japoni, skuadrat e shpëtimit në garë me kohën

16/04/2016 00:00

Skuadrat e shpëtimit në Japoni janë në garë me kohën për të gjetur të mbijetuar të tërmetit të plotëfuqishëm që tronditi vendin një ditë më parë.

Deklarata është bërë nga kryeministri Shinzo Abe, i cili ka paralajmëruar se, në orët në vazhdim parashikohen reshje shiu dhe mot i ftohtë.

Abe pranoi se operacionet e shpëtimit në orët e natës në rajonin Kjushu do të “jenë jashtëzakonisht të vështira”.

Të paktën 32 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur, ndërkohë që mijëra janë detyruar të braktisin shtëpitë dhe disa dhjetëra mendohet të jenë ende nën rrënoja.

Tërmeti i së enjtes ndërkohë u mori jetën 9 personave. Të dyja lëkundjet ishin të cekëta dhe epiqendra e tyre ishte pranë qytetit Kumamoto, ku janë dëmtuar rrugë, ura, tunele, shtëpi dhe ndërtesa.

Rreth 2 mijë persona kanë marrë trajtim mjekësor, 190 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë, kanë deklaruar autoritetet lokale.

Ndërkohë, rrëshqitje të mëdha toke kanë izoluar fshatrat e thella malore. Rreth 100 mijë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa rreth 400 mijë të tjera pa ujë.

Kryeministri Abe tha në një takim emergjence të zhvilluar këtë të shtunë se, “shirat dhe erërat kanë filluar dhe pritet të bëhen edhe më të forta”.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel