Papa kthehet në Romë me 12 refugjatë, “myslimanët, bij të Zotit”

16/04/2016 00:00

Papa Françesku është kthyer pasditen e së shtunës në Romë pas udhëtimit në ishullin grek të Lesbos. Ati i shenjtë, në rrugën e kthimit ka marrë me vete 12 refugjatë, të cilët do të strehohen në kryeqytetin italian nga Komuniteti i Sant’Egidios.

Bëhet fjalë për tre familje refugjatësh nga Siria, 6 prej të cilëve të mitur. Ata ishin të pranishëm në kampet e pritjes në Lesbo përpara se të arrihej marrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë. Të 12 refugjatët janë myslimanë.

“Nuk bëra një zgjedhje mes të krishterëve dhe myslimanëve. Këto tre familje kishin letra dhe dokumentet në rregull dhe mund të vinin. Në lista kishte edhe dy familje të krishtera, por nuk kishin dokumentet në rregull. Nuk pati asnjë privilegj”.

Me këto fjalë Papa iu përgjigj një gazetareje që e pyeste përse refugjatët e ardhur me të në Romë ishin të gjithë myslimanë. “Të 12 ata janë bijtë e Zotit”, tha më tej ati i shenjtë.

Gjatë vizitës në ishullin e Lesbos, Papa Françesku, i shoqëruar nga patriarku Kostantinopoli dhe arqipeshkvi ortodoks grek Hieronymos, u lut dhe mbajti 1 minutë heshtje për refugjatët.

Top Channel