Mogherini në Teheran: BE-Iran, faqe të re marrëdhëniesh

16/04/2016 00:00

Bashkimi Evropian dhe Irani kanë “kthyer një faqe të re” në marrëdhëniet e tyre diplomatike, ka deklaruar shefja e Politikës së Jashtme të BE, gjatë një vizite në Teheran.

Federica Mogherini deklaroi se palët kanë rënë dakord për të ngushtuar bashkëpunimin në një sërë fushash, përfshirë këtu ekonominë, energjitikën, arsimin, emigracionin dhe transportin.

Vizita e shefes së diplomacisë evropiane vjen pas marrëveshjes historike të arritur vitin e kaluar mes Perëndimit dhe Republikës Islamike.

Në konferencën për shtyp me ministrin e Jashtëm, Mohammad Javad Zariv, Mogherini tha se, “rezultatet e bisedimeve do të jenë ato që do të bëjnë diferencën në jetën e qytetarëve iranianë dhe atyre europianë”.

Ndërsa presidenti iranian Hassan Rouhani ka zhvilluar bisedime me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në pallatin presidencial në Ankara.

Dy krerët e shteteve ranë dakord të rrisin bashkëpunimin në sektorin bankar dhe në atë ekonomik, si dhe nxitjen e tregtisë dypalëshe në 30 miliardë dollarë brenda dy vitesh.

Erdogan deklaroi se, me homologun kishte rënë dakord për të “reduktuar diferencat” mbi Sirinë dhe çështje të tjera, si dhe “për të punuar së bashku për të tejkaluar problemet që lidhen me terrorizmin, dhunën sektare dhe krizën humanitare që ka përfshirë rajonin”.

Lidhur me Sirinë, zonja Mogherini tha se çështja e stabilitetit në Lindjen e Mesme ishte diskutuar me ministrin Zarif, ndërsa sa i takon çështjes së të drejtave të njeriut në Iran, ajo tha se, “nuk është sekret që mes palëve ka dallime në këtë aspekt”.

Nga ana e tij, zoti Zarif mirëpriti mbështetjen e shprehur nga BE që Irani t’i bashkohet Organizatës Botërore të Tregtisë, ndërsa u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të përmbushin angazhimet e marra përsipër në kuadër të marrëveshjes bërthamore dhe të heqin pengesat në sektorin bankar.

Top Channel