Shmangia e taksave, marrëveshje mes 5 vendeve të BE

15/04/2016 00:00

Pesë ekonomitë më të mëdha në Bashkimin Europian kanë rënë dakord të shkëmbejnë informacionet për pronarët e fshehtë të bizneseve e fondeve.

Udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës, duan të tregojnë se po ju përgjigjen shqetësimeve publike lidhur me megaskandalin financiar të “Panama Papers”.

Zyrtarë të thesarit britanik thanë për “BBC” se një masë e tillë do ta bënte më të vështirë operimin e bizneseve apo individëve të pasur pa paguar taksat në mënyrë korrekte.

Pesë vendet po nxisin tani pjesën tjetër të vendeve të G20-s që të ndjekin një politikë të njëjtë e që do të nënkuptonte shkëmbimin e informacioneve më parë sekrete për taksat, mes vendeve të tilla si Amerika, Arabia Saudite dhe Kina. Disa ekspertë e konsiderojnë një shtrirje të tillë, si gati të pamundur.

Qeveria britanike njoftoi se do të bëjë publike regjistrat e saj të përfitueseve të fondeve e bizneseve “offshore”, dhe po u kërkon 4 firmëtarëve të tjerë të marrëveshjes të pranojnë që edhe publiku të ketë akses tek informacionët.

E megjithatë shkëmbimi i informacioneve ka shumë pak gjasa të qetësojë kritikët të cilët pretendojnë se nuk është bërë mjaftueshëm për të penguar evazionin fiskal dhe shmangien e sanksioneve, shpesh përmes fondeve e kompanive “offshore” të bazuara në parajsa fiskale.

Top Channel