Sanders, në Vatikan për pabarazinë dhe padrejtësinë sociale

15/04/2016 00:00

Pretendenti për kandidat të demokratëve në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, Bernie Sanders ka mbërritur në Vatikan, për të marrë pjesë në një konferencë mbi ekonominë dhe drejtësinë sociale.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, nuk ka plane për një takim mes tij dhe Papa Françeskut. “Jam shumë i emocionuar dhe krenar që jam këtu me njerëz të tjerë që po përpiqen të ngrenë një ekonomi morale”, u tha Sanders mbështetësve të mbledhur jashtë Vatikanit.

Vizita e tij në selinë e shenjtë vjen katër ditë përpara zgjedhjeve primare në Nju Jork, që është dhe vendi i tij i lindjes.

Mbrëmjen e së enjtes, senatori i Vermontit dhe rivalja e tij Hillary Clinton u përplasën për bankat e Wall Street, kontrollin e armëve dhe pagën minimale, në një debat me tone të larta.

Menjëherë më pas ai udhëtoi për në Romë, ku mbështetësit e tij ishin mbledhur pranë Vatikanit të veshur me bluza ku shkruhej: “Roma është me Bernin”.

Zoti Sanders tha se, pabarazia, padrejtësia dhe ndotja po shkaktojnë “probleme shkatërruese” dhe theksoi se, admiron Papën për këndvështrimin e tij mbi pabarazinë dhe lakminë.

Analistë në media kanë shprehur ndërkohë habinë për udhëtimin e tij në Romë, në një kohë kur zgjedhjet primare në Nju Jork janë shumë pranë.

“Është një hap i gabuar. Në thelb ai do të shkojë të thotë të njëjtat gjëra që ka thënë këtu”, u shpreh analisti i “New York Times”, Charles Blow për CNN.

Top Channel