“Panama Papers”, dorëhiqet ministri spanjoll

15/04/2016 00:00

Lidhja e tij me një firmë “offshore” në dokumentet e rrjedhura nga kompania panameze “Mossack Fonseca” ka detyruar ministrin spanjoll të Industrisë të dorëhiqet.

Jose Manuel Soria, pjesëtar i Partise Popullore, bëhet kështu viktima e fundit politike e megaskandalit financiar. Ministri e njoftoi dorëheqjen përmes një deklarate, duke e justifikuar vendimin me keqinterpretimin e informacioneve lidhur me aktivitetet e bizneseve të tij dhe me dëmet që kjo situatë po i shkaktonte qeverisë spanjolle.

Gjithsesi ai vazhdon të mohojë akuzat se ka shkelur ligjin, duke e cilësuar dorëheqjen si një akt sakrifikues në interes të partisë së tij që më shumë gjasa do të duhet të përballet me zgjedhjet e përgjithshme, pas rezultateve jobindëse në zgjedhjet e dhjetorit.

Marrëveshjet e dyshimta të biznesit të Sorias u raportuan fillimisht nga faqja spanjolle “El Confidencial”, i cili kishte pasur akses tek “Panama Papers”.

Në dokumente, zyrtari spanjoll përmendej si administrator i një firme “offshore” për 2 muaj në vitin 1992. Soria nxitoi të hidhte poshtë pretendimet, por me kalimin e javëve me shumë informacione kompromentuese dolën në dritë nga media të tjera, që sugjeronin lidhje të tjera me parajsat fiskale.

Top Channel