Meta: Reformat, kryefjala e mesazhit të Uashingtonit

15/04/2016 00:00

Kreu kuvendit Ilir Meta i shikon takimet e aleatit Edi Rama me Presidentin Obama dhe  zëvëndës  presidentin Biden  të lidhura përtej mbështetjes amerikane për Shqipërinë.

“Kjo vizitë është demonstrim i qartë i partneritetit strategjik që Shqipëria ka me SHBA dhe konfirmim i qëndrueshmërisë së politikës tonë të jashtme, angazhimin në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe rolit konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Mesazhet e vizitës janë të qarta. SHBA mbështet rrugën e reformave dhe bën thirrje për thellimin e tyre, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit”, thotë ai.

Duke përshëndetur  miratimin e Rezolutës për Shqipërinë nga Parlamenti Europian kryeparlamentari Meta thekson nevojën e miratimit pa vonesa të reformës në drejtësi.

“Rezoluta kërkon implementimin e reformave. Është përgjegjësi e klasës politike ta lexojë në mënyrën e duhur rezolutën, e cila duhet të jetë një udhërrëfyes dhe të bashkojë palët për çuarjen përpara të reformave dhe hapjen e negociatave. Rezoluta është një thirrje për të lënë mënjanë diferencat dhe retorikën e panevojshme dhe të fokusohemi në prioritetet madhore. Me këtë rast, përshëndes vendimin e Partisë Demokratike për t’i dhënë fund marrëdhënies së kushtëzuar me Parlamentin”, deklaroi Meta.

I pyetur për koalicionin PS-LSI Meta thotë se koalicioni funksionin shumë normalisht dhe në mënyrë demokratike.

Top Channel