Kriza zbeh nacionalizimin rus. Putin harron armiqtë, prej problemeve ekonomike

15/04/2016 00:00

Vladimir Putin u shfaq të enjten disi më modest, ose të paktën jo aq i krekosur sa herë të tjera, në ngjarjen e përvitshme të komunikimit televiziv me publikun, ku përgjigjet e tij – ndaj pyetjeve deri diku të orkestruara më parë, – tentuan të davarisnin shqetësimin e rusëve të thjeshtë në mesin e një viti të dytë ndëshkues recesioni të thellë.

Në fjalën e shefit të Kremlinit nuk zunë aq vend sa përherë, rivalë si Shtetet e Bashkuara apo Turqia. Hapësirën e tyre e pushtuan shitësit e djathit, peshkatarët dhe aprovimi i përpjekjeve të qeverisë për t’i mbajtur çmimet të ulëta.

Parehatia e presidentit rus mund të konsiderohet e justifikuar. Ekonomia në krizë, të ardhurat e ulura nga nafta, sanksionet, problemet strukturore e shterimi i rezervave; lista e problemeve të Rusisë sot është shumë e gjatë.

Goditjen më të forte e dha përgjysmimi i çmimit të arit të zi dy vitet e fundit. Shteti dhe firmat ruse tashmë kanë shumë më pak të ardhura. Gjendja e rënduar e ekonomisë po rrit pakënaqësinë në popull, e kjo në të ardhmen mund të kthehet në problem për Putinin.

Parashikimet janë të zymtadhe për ekspertët, fondet e rezervave shtetërore ka shumë gjasë të mbarojnë nga fundi i 2016-s. Sipas tyre, nëse çmimi i naftës vazhdon të ndjekë trendin aktual, Rusia mund të vazhdojë kështu edhe e shumta dy apo 3 vite.

Kjo është edhe arsyeja që i shtyn të mendojnë se, regjimi në Moskë do të ashpërsojë konfliktin me Perëndimin, në mënyrë që ta largojë vëmendjen nga kriza ekonomike.

* Vladimir Putin kreu sesionin vjetor të pyetje-përgjigjeve me publikun, ku u vunë re një sërë pyetjesh “të çuditshme” drejtuar shefit të Kremlinit dhe po aq të çuditshme ishin edhe përgjigjet e tij. Numri i tyre është më i madh, por “Euronews” na sjell 5 më pikantet.

Pyetja 1: Vitin e kaluar u pyetët nëse do të shpëtonin Barack Obaman nëse ai do të ishte duke u mbytur, këtë vit, nëse Poroshenko dhe Erdogan do të ishin duke u mbytur, kë do të shpëtonit të parin?

Putin: Nuk e di ç’të them! Nëse dikush ka vendosur që të mbytet, është e pamundur që ta shpëtosh atë, por mund të mbash të zgjatur gjithmonë dorën e miqësisë nëse ai dëshiron ta pranojë këtë miqësi.

Pyetja 2: Kohët e fundit mësuam se ish-bashkëshortja juaj është martuar sërish. Kur do të na japësh ndonjë lajm për një zonjë të parë të re?

Putin: Ju zgjidhni presidentin dhe kryeministrin për të punuar dhe jo për jetën e tyre private. Megjithatë, unë e kuptoj që njerëzit janë të interesuar dhe sapo të ketë diçka do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.

Pyetja 3: Nëse do të kishit një peshk të artë, si në përrallën e Pushkinit, cilat do të ishin tri dëshirat e tua?

Putin: Më mirë të punosh për veten tënde dhe njerëzit e tu dhe të mos u besosh përrallave.

Pyetja 4: Kur jeni sëmurë, çfarë ilaçesh përdorni, ruse apo të importuara?

Putin: Në radhë të parë përpiqem që të mos sëmurem. Ushtrohem çdo ditë që të mbaj veten në formë dhe vaksinohem kundër gripi. Megjithatë, kur sëmurem marr çfarëdo që më këshillon mjeku, ruse apo të huaja, por gjithmonë ato më të lirat.

Pyetja 5: A bërtisni, përdorni gjuhë të pakëndshme apo fjalor të rëndomtë dhe kundër kujt?

Putin: Më duhet ta pranoj që ulëras dhe përdor fjalor të pakendshëm, por e kam gjithmonë me veten. Kjo është pjesë e kulturës dhe traditës ruse. A u ulëras vartësve? Po, por e bëj sepse jam i nxehur me veten time.

Top Channel