Gjermani, Merkel lejon hetimin e komedianit që u tall me Erdoganin

15/04/2016 00:00

Gjermania do të lejojë hetimin e komedianit, i cili u tall me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. “Por, në fund do të jetë gjykata, ajo që do të vendosë”, deklaroi Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Satira provokuese e Jan Böhmermann nuk u kapërdi lehtë nga Ankaraja, që kërkoi procedim penal ndaj moderatorit të “ZDF”-së. Në një emision humoristik të televizionit të dytë publik gjerman, prezantuesi paraqiti një “poezi satirike me sharje” kundër Erdoganit.

Përmes saj, Böhmermann deshi të vinte në pah shtypjen e lirisë së mendimit dhe mënyrën sesi veprohet me satirën në Turqi. Çështja ngjalli debate të forta në Gjermani, ku shumë mendojnë se Merkeli nuk duhet të lejojë që t’i bëhet presion nga Erdogani.

Të tjerë, edhe pse mbështesin qëndrimin se Böhmermann ka shkruar vetëm një satirë, e cila mbrohet nga liria e mendimit dhe e artit, sërish konsiderojnë se poezia në vetvete, me sharjet brenda saj, e ka kaluar limitin.

Teorikisht, Böhmermannin e kërcënon dënimi me 3 vite burgim për fyerjen e presidentit të një vendi tjetër, por – sipas ekspertëve, – një gjë e tillë zor se ka për të ndodhur.

Top Channel