Ekonomia ruse në krizë, vendit po i shterojnë paratë

15/04/2016 00:00

Të ardhura e ulta nga nafta, sanksionet dhe problemet strukturore kanë dobësuar ndjeshem ekonominë ruse, e cila, siç pohojnë ekspertët, tashmë ndodhet në krizë. Vitin e kaluar, kapaciteti ekonomik i vendit ra me 3.8%, ndërsa për këtë vit, Banka Botërore pret një rënie tjetër me 1.9%.

Vendi përballet me një listë të gjatë problemesh. Fillimisht çmimi i naftës, i cili në dy vitet e fundit gati është përgjysmuar. Shteti dhe firmat kanë tani shumë më pak të ardhura.

Stefan Meister, ekspert gjerman i Shoqërisë Gjermane për Politikën e Jashtme, thotë për “Deutsche Welle” se është e vështirë të financosh buxhetin me këto çmime të gazit dhe naftës. Sanksionet e Perëndimit që pasuan aneksimin e Krimesë dhe konfliktin me Ukrainën e kanë rritur presionin.

Tregtia ka pësuar goditje të fortë, madje nga kjo vuan edhe tregtia gjermane e automjeteve dhe prodhimit të makinerive. Për Rusinë është më e vështirë sepse sanksionet vështirësojnë financimin e investimeve.

“Sanksionet perëndimore i kanë hequr mundësinë firmave dhe bankave tona të huazojnë para jashtë vendit, dhe jo vetëm në Europë, por në të gjithë botën”, thotë Vladimir Milov, drejtor i Institutit të Moskës për Politikën Energjitike. “Askush nuk na huazon para, madje as Kina”, vijon ai. Milov është themelues e kryetar i partisë opozitare, Zgjedhja Demokratike.

Kreditë qe kanë qenë baza e rritjes ekonomike ruse në vitet e fundit, janë reduktuar nga 700 miliardë dollarë në vitet e kaluara në 470 miliardë dollarë aktualisht. Rrjedhja e ndjeshme e kapitalit jashtë vendit ka luajtur rol negativ duke bërë që rubla të humbasë gjysmën e vlerës përballë dollarit.

Këtyre problemeve u shtohen edhe ato strukturore që sipas eskpertëve kanë qenë të ndjeshme që para sanksioneve dhe rënies së çmimit të naftës. Pyetja më e rëndësishme, sipas “Deutsche Welle”, është se kur do t’i mbarojnë Rusisë paratë.

“Po qe se çmimi i naftës nuk rritet, Rusia mund të vazhdojë “dy ose tre vjet” kështu, thotë Stefan Meister, por “treni ndjek drejtimin e përplasjes”. Eksperti pret që regjimi të ashpërsojë konfliktin me Perëndimin, në mënyrë që të largojë vëmendjen nga kriza ekonomike.

Top Channel