Belgjikë, dorëhiqet ministrja e Transportit. Shkak sulmet e Brukselit

15/04/2016 00:00

Ministrja belge e Transporteve dha dorëheqjen, në mesin e akuzave se kishte neglizhuar mangësitë e sigurisë në Aeroportin e Brukselit, përpara sulmeve të 22 marsit.

Një dokument konfidencial fliste për probleme serioze në mënyrën e menaxhimit të kontrolleve të sigurisë në “Zaventem”, të evidentuara nga inspektorët e BE-së që në vitin 2015. Ministrja Jacqueline Galant mohon ta ketë parë raportin e bërë publik nga partitë e opozitës.

Sulmet në “Zaventem” dhe në metronë e Maalbekut, të marra përsipër nga Shteti Islamik, shkaktuan 32 të vdekur. Kryeministri belg, Charles Michel e ka mbrojtur deri tani Galantin, e madje edhe Parlamentit është përpjekur t’i tregojë se, zyra e saj nuk e kishte parë raportin kritik të Bashkimit Europian.

Megjithatë mëngjesin e sotëm, pas dokumenteve të reja të publikuara në vazhdën e atyre që nisën të dalin në dritë që mbrëmjen e së enjtes, Michel e pranoi se “përkundër asaj që i ishte thënë”, dokumenti mesa duket është diskutuar.

Kreu i ekzekutivit u takua me ministren orët e para të ditës së sotme dhe, fill pas kësaj, ajo i paraqiti dorëheqjen Mbretit. Në letrën e dorëheqjes, Galant shkruante se “pështjellimi i orkestruar dhe teatral i këtyre 48 orëve të fundit ia ndalon vazhdimin e kryerjes së detyrës, e për këtë arsye edhe zgjedh të largohet”.

Dorëheqja e Galantit pason atë të shefit të Agjencisë Federale belge të Transporteve, Laurent Ledoux, një ditë më parë.

Top Channel