PD: Djali i kryeministrit, syze 60 mijë euro. Të sqarojë nga vijnë paratë

14/04/2016 00:00

Kryetari i Forumit Rinor të PD, Belind Këlliçi, në një deklaratë për shtyp i është referuar lajmeve të publikuara në media, për shpenzime marramendëse të djalit të kryeministrit.

“Media ka zbuluar se studenti më i pasur në vend, dhe ndoshta në rajon, është i papuni Gregor Rama, djali i kryeministrit. Zbulimi nuk ka qënë shumë i vështirë për t’u bërë, pasi Gregu, studenti i papunë, është pjesë e arrogancës rilindase që ka dëshirë të tregojë luksin, edhe pse shokët e tij të klasës nuk kanë lekë të pinë një kafe, le më të pagujnë tarifat e rritura të universiteteve nga babai tij, edhe pse 46.2 përqind e familjeve shqiptare jetojnë në varfëri me 5 dollarë në ditë”, ka deklaruar Këlliçi.

Sipas tij, “syzet që mban djali i papunë i Edi Ramës janë “Maybach” dhe sipas medias dhe ekspertëve kushtojnë të paktën 60 mijë euro”.

“Syze tipike të oligarkëve të lindjes, të qeveritarëve të korruptuar, të njohur botërisht për pasurinë e luksin që kanë vënë në kurriz të popullit. Vlera e këtyre syzeve që mban Gregu është sa dy muaj pagë e presidentit amerikan, Obama”, ka thënë më tej Këlliçi.

Sipas tij, “përveçse një çështje morale, që tregon harbutërinë e rilindjes, kontrastin e thellë mes Edi Ramës, njerëzve të tij dhe popullit që nuk ka me se të ushqehet, ky është edhe një problem i mprehtë ligjor”.

“Djali i kryeministrit duhet të tregojë se ku i ka marrë paratë për të pasur një palë syze 60 mijë euroshe. Të tregojë burimin e parave. Eshtë i detyruar me ligj. Nëse i ka dhuratë, atëherë duhet të tregojë se nga kush i ka dhuratë; nga Hakmarrja për Drejtësi? Nga Emiliano Shullazi? Apo nga kompania kineze që po përgatitet të marrë konçesionin e TVSH, së bashku me xhaxhain e tij, Olsin? Këto pyetje janë shqetësim publik dhe Gregor Edi Rama është i detyruar të japë përgjigje”, ka shtuar Këlliçi.

Top Channel