Korrupsioni rus, si formë e re e komunizmit sovjetik

14/04/2016 00:00

Tanket sovjetike kalonin dikur rrugëve të Budapestit e të Pragës. Sot, bankat ruse krijojnë llogari sekrete “offshore” e kompani “guackë” fantazëm, që blejnë tinëz influencë e gëlltisin asete strategjike nëpër Europë.

Kuislinget në Lindje, e shokët e tyre rrugëtarë në Perëndim shtynin me gishtin e këmbës linjën e Leninit. Biznese e lobingje industriale, tani në Lindje e Perëndim bashkë, përsërisin komentet e Vladimir Putinit.

Një rrjet partish komuniste promovojnë interesat e Moskës. Koorporata të errëta e të padepërtueshme, marrëveshje të pista energjie, skema komplekse pastrimi parash, të gjitha këto zënë në kurth elitat e huaja e formojnë një lobing të gatshëm në Kremlin.

Ky, – thotë “the Interpreter”, – është vendi ku e shkuara takon të tashmen. Në shumë mënyra, korrupsioni rus është në fakt komunizmi i ri sovjetik. Kërcënimi i ri i kuq është për gazetën “online”, një shartim i sponsorizuar nga Kremlini.

Në Lindje, – kujton ajo, – kemi një aleancë shtetesh satelitë me ekonomi të komanduara në stilin sovjetik, e ku sistemet autoritare politike janë zëvendësuar me një grupim të hapur kleptokracish të tipit rus të ekonomisë mike kapitaliste e qeverisje jofunksionale.

Përpjekjet e Bashkimit Sovjetik për të shkatërruar Perëndimin me fuqinë e një ideje i kanë lënë vend tentativave të Putinit për ta korruptuar me joshjen e parasë së lehtë. Sa më shumë ndryshojnë gjërat, – shkruan “the Intepreter”, – aq më shumë mbeten në vend.

Kremlini nuk ka më nevojë të jetë kreu i gjithëpushtetshëm i vendeve të bllokut të Varshavës. Në vend të kësaj, mund t’i hedhë benzinë zjarrit të ndasive ekzistuese, të minojë institucionet ndërkombëtare e të ndihmojë në krijimin e një bote, ku të lulëzojë vetëm lloji i autoritarizmit të tij të korruptuar, citon gazeta Peter Pomerantsevin dhe Michael Weisin, dy autorët e raportit “Si po i kthen Kremlini informacionin, kulturën dhe paratë në armë”.

Bashkimi Sovjetik, – vazhdon gazeta, – kërkoi të përhapte komunizmin e të krijonte një grup kombesh besnike ndaj Moskës. Rusia e Vladimir Putinit po përpiqet të përhapë modelin e saj të korrupsionit të biznesit, për të krijuar një bllok shtetesh të varura nga Kremlini.

Top Channel