Fluturimet provokuese, Rusia: Gjithçka sipas normave

14/04/2016 00:00

Rusia bëri me dije se respektoi që të gjitha masat e sigurisë kur avionët e saj fluturan pranë një luftëanije amerikane në ujërat e detit balltik të hënën. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, avionët luftarakë Su24 shmangën anijen luftarake USS Donald Kook sapo e panë atë duke respektuar çdo standard sigurie.

Ministria ruse gjithashtu tha se anija amerikan po lundronte në afërsi të një baze detare ruse. Sipas Rusisë, por edhe SHBA, avionët rusë nuk ishin të armatosur. Por Uashingtoni ka një tjetër pikëpamje për rrezikshmërinë e manovrave.

Sipas zyrtarëve amerikanë këto fluturime ishin mes akteve më agresive të kohëve të fundit. Marinarët e anijes amerikane publikuan video të incidentit dhe sipas tyre avionët rusë kaluan shumë pranë anijes të paktën 12 herë.

Në një moment të caktuar, një prej avionëve kaloi vetëm 9 metra larga anijes. Por sipas komandantit të anijes luftarake USS Donald Cook, fluturimet ruse nuk ishin apsak të sigurta dhe pavarësisht se të paarmatosur, pilotët po simulonin sulme dhe kjo është e qartë nga trajektoret e tyre.

Analistët thonë se fërkime të tilla nuk mungojnë kurrë mes forcave amerikane dhe ruse, me këto të fundit që nuk humbin rast për të treguar muskujt. Deri tani asnjë incident i rëndë nuk ka ndodhur, por pamjet e transmetuara së fundmi tregojnë se manovra të tilla të pakujdesshme mund të shndërrohen shumë shpejt në probleme vërtet serioze.

Top Channel